Kryedemokrati Lulzim Basha me anë të një video mesazhi i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama për përfshirje si intervistues në hartimin e raportit të Dick Marty-t.

Basha ka akuzuar kreun e qeverisë se po dëmton interesat kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërkohë që ka shtuar se do të japë llogari para drejtësisë.

“Ti nuk je në gjendje të mbash asnjë premtim të vetëm. E vetmja që di të bësh është të shkatërrosh ekonominë dhe të ardhmen tonë. Ndërkohë që merresh me vizatime dhe nuk shkulesh nga Instagrami, unë e kam vënë tërë jetën time në shërbim të vendit, për Shqipërinë, për shqiptarët, për pavarësinë e Kosovës.

Ti nuk më mëson dot mua se çfarë është Besëlidhja e Shqipërisë. Edhe sot me gënjeshtrat, mashtrimet dhe veprimet e tua, ti dëmton Shqipërinë, dëmton Kosovën dhe interesat kombëtare.

Ta them qartë dhe prerë që të gjitha akuzat e tua janë shpifje dhe mashtrime për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe mashtrimet e tua që po i paguajmë me jetë njerëzish. Po vjen dita të japësh llogari para drejtësisë, por tani do të investoj çdo minut të kohës time që pas 8 vitesh të dështimeve të tua, të të mposht në zgjedhje“, deklaron Basha.