Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enekelejd Alibeaj në një status në rrjetet sociale pretendon se prej dy ditësh po sulmohet nga Sali Berisha dhe mediat e paguara nga familja e tij, pasi ngriti pyetjen se ku i gjen paratë e fushatës ish-lideri demokrat.
Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj shprehet se Berisha ka një vit e gjysëm që prenoton stadiume, prenoton salla në të gjithë Shqipërinë, paguan autobuza dhe njerëz për ti mbushur këto salla, paguan media që të jetë 24 orë live edhe pse ligjërisht nuk është kryetari i asnjë partie politike.
Ai ngre dyshime për një bashkëpunim politik dhe ekonomik mes Berishës dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Alibeaj shtron pyetjen se pse Berisha nuk i përmend asnjëherë oligarkët, bashkëpunëtorë të Veliajt, të cilët përfitojnë leje ndërtimi në kryeqytet.
Reagim publik i kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj:
Prej dy ditësh, altoparlantët politikë të non-gratës për korrupsion masiv dhe minues i demokracisë, Sali Berishës, dhe mediat e financuara prej tij dhe familjes së tij, kanë filluar një sulm ndaj meje, vetëm e vetëm se unë kam ngritur thjesht një pyetje, që në fakt është një pyetje që e bëjnë të gjithë shqiptarët:
Ku i gjen paratë Sali Berisha, i cili ka një vit e gjysëm që prenoton stadiume, prenoton salla në të gjithë Shqipërinë, paguan autobuza dhe njerëz për ti mbushur këto salla, paguan media që të jetë 24 orë live edhe pse ligjërisht nuk është kryetari i asnjë partie politike?
Mirëpo Sali Berisha dhe ushtarët e tij mediatikë e politikë, në vend që ti përgjigjen kësaj pyetje dhe të bëjnë transparencën e parave te tyre, si gjithmonë, në stilin e politikës së urrejtejes dhe baltës , në stilin e tij prej politikani tashmë të marrë fund, e ka kthyer oborrin e tij politik e mediatik në mburojë të një njeriu të padëshiruar nga perëndimi për korrupsion masiv dhe minim të demokracisë.
Të gjithë në rresht, për turpin e tyre, bëjnë garë se kush bërtet më shumë, kush fyen më shumë në emër të padronit të tyre.
E kuptoj fare mirë hallin e tyre. Sa herë që i përmendin paratë, Sali Berisha dhe llogoret e tij mediatike në borderonë e tij, ulërasin, bërtasin dhe fyejnë këdo që i kërkon lllogari dhe transparencë. E kuptoj fare mirë që ndihen të frikësuar.
Janë të gjithë në radhë për SPAK.
Në fakt nuk i ka shqetësuar çështja e parave dhe financimeve, sepse ato kanë 33 vite që i fshehin në bashkëpunim me mediat e tyre, por se përse Erion Veliaj, ortaku i tyre politik dhe ekonomik, ka bërë të njëjtën pyetje. As nuk kisha ndërmend të meresha fare më një mashtrues kronik si Erion Veliaj, por meqë e kanë merak se përse ai ka ngritur të njëjtën pyetje, le të flasin me të.
Unë thjesht ngrita një pyetje, ai me siguri di dhe përgjigjen e kësaj pyetje. Pyetja duhet të ishte drejtuar dhe Sali Berishës dhe Erion Velisë, sepse që të dy e dinë ku i gjenë paratë Berisha. Sepse ditën bëjnë sikur zihen, ndërsa natën shijojnë lejet e ndërtimit dhe marrëveshjet okulte me kryebashkiakun, përfaqësues të oligarkisë së ndërtimit.
Si ka mundësi që Sali Berisha nuk përmend asnjë oligark, bashkëpunëtor të Erion Velisë në ndërtimet e Tiranës?! A ka kurajo non-grata për korrupsion masiv dhe minues i demokracisë, të denoncojë lejet e ndërtimit të dhëna nga Erion Veliaj?
Përgjigjia është shumë e thjeshtë: janë ortakë politik dhe ekonomik.
Oligarkët i kanë bashkë, paratë i ndajnë bashkë, politikën duan që ta zaptojnë bashkë.
E megjithatë, përtej dallavereve politike të Sali Berishës që nuk i beson më askush, thelbi mbetet, pyetja mbetet:
Ku i gjenë paratë Sali Berisha?
Për përgjigjen, pyesni Erion Velinë. Ai di shumë më shumë se unë dhe se ne bashkë, se ku gjenden këto para.