Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat të mbajtur këtë të mërkurë, ka folur sa i takon sistemit që do të grumbullojë të dhënat mbi financimin e partive politike.
Celibashi theksoi se ky sistem do të bëjë të mundur verifikimin mbi paratë e shpenëzuara nga çdo subjekt politik. Celibashi theksoi se me këtë sistem Shqipëria ka realizuar qëllimin e BE që ta kishte gati projektin për zgjedhjet e 14 Majit.
“Bazuar në këto të dhëna që do të grumbullohen nëpërmjet këtij sistemi, KQZ do bëjë të mundur verifikimet mbi paratë e shpenzuara nga subjektet politike. Ky sistem është shumë i mirë, veçanërisht për shoqërinë civile, mediat e të tjerë për të marrë informacione e për të bërë vlerësime për të dhënat e grumbulluara. Është e qartë që ne jemi vetëm në fillim të përdorimit të këtij sistemi dhe askush prej përdoruesve akoma nuk është familjarizuar plotësisht, por të paktën formalisht e kemi realizuar qëllimin e BE, që ta kishim gati projektin për zgjedhjet e 14 Majit të këtij viti dhe raportimi i subjekteve zgjedhore mbi financat e kësaj fushate të bëhet nëpërmjet kësaj platforme.
Jemi duke e bërë këtë, besoj që tani, por më së shumti dhe në të ardhmen bashkëpunëtorë veç Këshillit të Evropës dhe IDEA me ekspertizën e saj mund t’i bashkangjiten projekteve të KQZ-së për konsolidimin e këtij sistemi, për përdorimin e programeve të ndryshme të sistemit, monitoruese, edituese, stafit të KQZ dhe pse jo organizatave të shoqërisë civile mbi mënyrën se si ato e përdorin sistemin për qëllimet dhe interesat e tyre. Nuk është pika e fundit e lidhur me këtë projekt, është pika e fillimit pasi nuk do të kishte asnjë lloj kuptimi nëse ky sistem nuk do përdorej.
Dua të rikonfirmoj se përtej problematikave që kemi si shoqëri apo sistem politik, rikonfirmoj gjithë gatishmërinë dhe seriozitetin e KQZ-së për të qasur këtë çështje në përputhje me kodin dhe për të mos pasur drojë për të sjellë në vëmendje raste kur parti apo subjekte të ndryshme kanë problematika në lidhje me financimin. Nuk do të jetë kaq e thjeshtë dhe do të ketë transparancë për të bërë publike çdo abuzim, por do jetë diçka ndryshe nga herët e tjera dhe tej gjithë retorikës së ngarkuar politike, në gjykimin tim ka një lloj kujdesi të paktën formalisht për të respektuar rregullat. Por edhe ju e keni parasysh se nuk kemi të bëjmë me shenjt kur bëhet fjalë për të marrë paratë nga partitë politike, ne si institucion mund të bëjmë më shumë për t’i bërë të përmbajtura që të mos demostrojnë ndonjëherë në mënyrë arrogante fuqinë e tyre dhe interesin e tyre për të shpenzuar para pa limit në fushatën zgjedhore”, deklaroi Celibashi.