Gjatë konferencës së Komitetit Teknik të Ekspertëve, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se momentalisht nuk ka një vendim për mbylljen e shkollave dhe rikthimin e mësimit online.

Rakacolli theksoi se shkollat deri më tani nuk janë rrezik për përhapjen e virusit të rrezikshëm.

“Nëse nuk do të kishim përdorur maskat, shifrat do të ishin më të larta. Në shumicën e rasteve, ata që kanë rezultuar pozitivë, nuk kanë përdorur maskat. Sa i përket shkollave, çdo masë që merret, merret në bazë të shifrave dhe arsyes pse janë këto shifra. Fatmirësisht na rezulton që në shkolla nuk ka shpërndarje të madhe të infeksionit. Nuk i kemi shkollat vatra të infeksionit. Ne po vazhdojmë t’i monitorojmë. Ne shohim fenomenin dhe kush janë faktorët që kanë cuar në këtë fenomen”, u shpreh zv.ministrja.