Ka një arsye pse njerëzit e moshuar priren të zgjohen më herët në mëngjes. Kjo është pjesë e procesit të plakjes për një sërë arsyesh. Sipas ekspertëve shëndetësore, mosha e tretë zgjohet shpesh para lindjes së diellit pasi edhe flejnë shumë më shpejt se sa grupmoshat e tjera.
Ndërsa plakemi, trupi ynë ndryshon si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, gjë që është një faktor kryesor për ndryshimet e gjumit. Ashtu si aspektet e tjera të shëndetit tonë fizik dhe mendor, truri bëhet më pak i përgjegjshëm ndërsa plakemi.
Drejtori i Qendrës për Gjumin dhe Shkencat Circadian në Universitetin e Arizona, Sairam Parthasarathy thotë se truri me kalimin e moshës nuk i pëgjigjet inputeve ashtu siç duhet. Kjo shpjegon faktin se tek pleqtë orari i vakteve ushqimore, aktiviteti fizik apo dhe gjumi janë ndryshe nga ato të rinjve. Pra, nervat kanë vështirësi të përçojnë sinjale në tru për kohën pasi një pjesë e qelizave nervore dëmtohen. Prandaj ata dhe lodhen më shpejt dhe bien gjumë pas perëndimit të diellit.
Një tjetër arsye është dhe problemi me sytë. Me moshën edhe shikimi pëson ndryshime dhe reduktohet shkalla e dritës që merr truri ynë, e cila ndikon shumë në mbajtjen aktive të trurit dhe menaxhimin e kohës. Nëse drita që depërton në sy është e pakët atëherë trupi fillon e çliron melatoninën, hormonin e gjumit më herët se sa duhet.
Dhe sigurisht, të shkosh në shtrat më shpejt do të thotë të zgjohesh më herët.
Sipas Parthasarathy, nëse luftoni me këtë çështje, duhet të injoroni këshillat për të hequr ekranet dhe në vend të kësaj të ekspozoni veten në dritë të ndritshme në mbrëmjen e vonë. Kjo mund të nënkuptojë të dilni për një shëtitje jashtë para se të perëndojë dielli, të lexoni një libër në një iPad të ndritshëm, të merrni drita artificiale për shtëpinë tuaj ose të shikoni TV në një ekran të ndritshëm.
Këto drita të ndritshme do t’i tregojnë trurit se dielli nuk ka perënduar ende, gjë që do të mbajë prodhimin e melatoninës, tha ai. Për ta ndihmuar veten të qëndroni zgjuar pak më vonë (dhe si rezultat të flini pak më vonë), Parthasarathy tha që duhet t’i provoni këto gjëra 30 deri në 60 minuta para perëndimit të diellit, të cilat do të ndryshojnë në varësi të kohës së vitit dhe vendit ku jetoni në SHBA.
Në përgjithësi, ndryshimet tek gjumi janë pjesë e jetës. Por ekspertët këshillojnë që me kalimin e viteve ju të kryeni disa aktivitete të shëndetshme për trupin si dhe të tregoheni të kujdesshëm me pajisjet që mund t’ju dëmtojnë sytë.