Nga Mentor Kikia
Edhe një peshqesh tjetër nga deputeti i oligarkëve
Edhe pse Ministrja e Ekonomisë Anila Denaj e kundërshtoi projekligjin, edhe pse solli argumenta se përse ai nuk ishte i nevojshëm, përveçse do të rriste frekuencën e kontrollit të pompave të karburanteve, duke rritur automatikisht koton, kosto të cilën do të paguajmë ne, sërish parlamenti e miratoi.
Presidenti Meta e ka kthyer tashmë ligjin e njohur si “Ligji i Pompave”. Ka bërë procedurën, por edhe deputetët do të bëjnë sërish procedurën, duke e rrëzuar dekretin dhe fuqizuar ligjin.
Shteti ka një drejtori, ajo e Metrologjisë, që kontrollon standaret e peshave dhe matjeve. Por qeveria e dha me koncension kontrollin e pompave të karburanteve, sepse nuk i kontrollonte dot vetë.
Kjo drejtori, ishte një strofkull hajdutësh dhe çdo qeveri përdor për të qerasur aleatët, për të “bërë ndonjë lek”. Derisa e shitën fare. Në fund ishte parlamenti që, në mënyrë të paprecedentë, miratoi një ligj enkas për llogari të një biznesi, që ka për avokat një deputet.
Tashmë, privati, sa më shumë kontrolle të bëjë, aq më shumë para merr. Për këtë arsye, deputeti Ilir Beqja, i cili do të mbetet në histori si ligjëvënësi që ka propozuar vetëm drafte në shërbim të koncensionarëve dhe oligarkëve, paraqiti dhe mbrojti projektligjin për të hequr tavanin e numrit të kontrolleve në pompat e naftës. Argumenti është: Sa më shuma ta kontrollojmë, aq më shumë ndalojmë abuzimin ndaj konsumatorit. Por, derisa kjo ka një kosto në miliona Euro në kurriz të konsumatorit, duhen argumenta bindëse për ta justifikuar.
Koncensonari tani shkon dhe e kontrollon një pikë karburati edhe 5 herë në muaj, e për çdo kontroll merr para.
Koston, tregtari i naftës nuk e ban vetë, por ia shkarkon në çmim atij, atij që e ha përherë, POPULLIT!