In memoriam

E humbëm Sazan Bitrin

-Covid 19 na e rrëmben edhe mikun tonë të çmuar

Nga BUJAR QESJA

Sapo njoftohem për ndarjen nga jeta, të mikut tonë të hershëm, njëri nga figurat më të spikatura të punës me rininë, kryesisht me fëmijët problematikë të kohës para viteve 90-të. Sazan Bitri. Ishte një figurë e dashur dhe popullore, veçanërisht për brezin tonë.

Edhe Sazanin tonë na e rrëmbeu ky Koronavirus i tmerrshëm, që po na mbërthen me një tragjedi të pa imagjinueshme. Shumë lajme të kobshme po na vijnë. Po ikin miq, shokë, të afërm dhe zemra po na çahet nga dhimbja.

Sazan Bitri jetonte familjarisht në Katolika pranë Riminit. Prej disa javësh ndodhej në Durrës së bashku me të shoqen. Këtu është prekur nga Covidi 19, që i mori edhe jetën.

Dhimbja është e madhe. Në dhjetor të vitit 2019 kisha shkruajtur për Sazan Bitrin, pasi na dhuroi një libër me kujtime “Rrugëtim në Sagën e Bitrajve.” Në kopertinë është edhe një dedikim prekës:

Kostandinës! Bujar Qesja!

“I vetmi mesazh për nga shpirti i pastër dhe pse jo edhe me shpirt të pastër”.

Sazan Bitri

Durrës: 15 dhjetor 2019

Shkëpus nga shkrimi i 26 dhjetorit 2019, këtë fragment:

“E për çfarë nuk flet ky njeri i mirë dhe i ëmbël! Nuk harron shoqërinë, vitet ku punoi me rininë dhe veçanërisht kur drejtonte Qendrën Kulturore të Fëmijve për afro dy dekada. Sazan Bitri kujtohet nga fëmijëria e jonë e viteve 50-të, 60-të, kur drejtonte një qendër edukimi, për të evituar veset dhe çfaqjet e huaja për kohën. Absolutisht nuk është në atë format, që mund të mendojë ndonjë, që i shërbente “vijës së partisë”. Ai i shërbente shoqërisë, për t’ia lehtësuar kusuret që mund ti vinin nga fëmijë me vese. Dhe për këtë, ai krijoi tipin e një edukatori me një prestigj dhe autoritet të padiskutueshëm. Por Sazan Bitri ka edhe një zemër të madhe, të ndjeshme, ku ka vënd për të gjithë miqtë dhe shokët. Sa mirnjohës i është Sazan Bitri mësuesve, që i dhanë kulturë, edukatë dhe arsim. Janë emra të famshëm si Sul Demiri, Gaqo Harilla, Anton Deda, Zeqo Spahiu, Qemal Xhomo, Bedri Rama, Pertef Kruja, Jorgji Çerepi, Remzi Tivari, Burhan Kaduku, Ali Kovaçi, Ilia Jorgo, Petrit Velja, Mustafa Gërçaliu, Banu Demiri, Kasjani Gjini, Tahir Kokalari, Milorad Jeremiqi, Matish Gjeluci, etj. ”.

Për fat kam bërë një foto, me këtë njeri të ndjeshëm dhe me karakter të fortë. Një kujtim që ia vlen ta kujtojmë gjithnjë të gjallë Sazan Bitrin, këtë njeri të mirë dhe gjithnjë të pazbehur në memorien tonë.

I paharruar mik dhe shok i çmuar! Je me fat që do të shtrihesh përjetësisht në dheun e Durrësit tënd, që i kushtove tërë jetën dhe do të prehesh në xhenetin tënd të paqmë.

Ngushëllime të pafund për bashkëshorten Elvirën, për fëmijët Denadwn, Neritanin dhe Besmirin.

Lamtumirë Sazan Bitri!

Durrës: 9 nëntor 2020