Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Telegram”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë Bedri Vodha 54 vjeç dhe Albert Vodha, 24 vjeç (babë e bir), banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpall në kërkim Florian Gjergji, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit B. V. dhe A. V. do të merrnin shumën 100 000 Euro nga një biznesmen. Shtetasi F. Gj. ka organizuar këtë veprimtari kriminale, duke iu prezantuar biznesmenit si zyrtar i lartë dhe duke i kërkuar shumën e parave, gjatë komunikimeve në rrjetet sociale.
Pas identifikimit, shtetasit B. V. dhe A. V. janë mbajtur në vëzhgim nga shërbimet operacionale të Policisë, deri në momentin kur janë arrestuar në flagrancë, para se të merrnin shumën e parave nga biznesmeni.
Nga veprimet e thelluara hetimore dyshohet se këta 3 shtetas janë autorë edhe të një rasti tjetër të ngjashëm, të ndodhur në muajin Mars të këtij viti, në Tiranë, ku me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë, i kanë marrë një shumë të madhe parash një biznesmeni.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 70 000 euro, 2 automjete, 5 celularë, 3 karta SIM, 1 laptop, 2 USB dhe 1 tablet.
Vijon puna për kapjen e shtetasit F. Gj. dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer në bashkëpunim me 2 shtetasit e arrestuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.





