Policia e Matit ka reaguar mënjëherë pas denoncimit të bërë nga kryebashkiaku Agron Malaj i cili akuzoi persona pranë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Skënder Gjuci, se kanë ushtruar dhunë ndaj dy zyrtarëve të shtetit.

Uniformat blu bëjnë me dije se lidhur me këtë ngjarje po ndiqen penalisht dy shtetasit babë e bir, S.R 40 vjeç dhe E.R 21 vjeç, ndërkohë një tjetër 21-vjeçar me ininciale A.M është shpallur në kërkim.

Shtetasit e lartpërmendur ditën e djeshme rreth orës 22:00, në qytetin e Burrelit, kanë goditur me grushte dhe me mjete të tjera përgjegjëzin e Kadastrës në degën Mat shtetasin H.S.  Gjithashtu, mbeti i dëmtuar edhe dhe shtetasi E. S., 36 vjeç, banues në Burrel, me detyrë kryetar i njësisë administrative Rukaj, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin.

Shkak për këtë konflikt është bërë fakti se më herët 40-vjeçari S.R i kishte kërkuar përgjegjësit të Kadastrës që t’i regjistronte në emër të tij, një pronë e cila ishte në proces gjyqësor.

Ndërkohë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Mat

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve, në qendër të qytetit të Burrelit, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat, disa shtetas të përfshirë në këtë konflikt.   

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat kanë vënë menjëherë në dijeni prokurorin e gatshëm të Prokurorisë së Dibrës, për këtë konflikt, dhe në drejtimin e kësaj prokurorie, kanë kryer të gjitha veprimet e para procedurale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ka nisur procedimi penal për shtetasit S. R., 49 vjeç dhe E. R., 21 vjeç (babë e bir), si dhe për shtetasin A. M., 21 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.05.2023, rreth orës 22:00, në qytetin e Burrelit, kanë goditur me grushte dhe me mjete të tjera, për shkak të detyrës, shtetasin H. S., me detyrë përgjegjës i Zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Mat, i cili ka pësuar dëmtime të lehta fizike. 

Si pasojë e këtij konflikti, ka mbetur i dëmtuar dhe shtetasi E. S., 36 vjeç, banues në Burrel, me detyrë kryetar i njësisë administrative Rukaj, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin.   

Nga hetimet e kryera dhe nga deklarimet e marra, ka rezultuar se shtetasi S. R. i ka kërkuar më parë, shtetasit H. S., që t’i regjistronte në emër të tij, një pronë e cila ishte në proces gjyqësor.

Gjithashtu, është shoqëruar në Komisariat dhe është marrë në pyetje mbi rrethanat e këtij konflikti, shtetasi A. D., i cili pas dhënies së deklarimit, është lënë i lirë.

Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.