Një qytetar nga Elbasani denoncoi një skandal në emisionin Fiks Fare, duke dhënë fakte sesi ishte regjistruar në hipotekë një pronë shtetërore në emër të një qytetari tjetër, me dokumente false.
Kujtim Bakalli tregoi se është bërë pronar i 17 mijë e 500 metra tokë me vendim të Kthim Kompesimit të Pronave. Pronë në të cilën janë edhe disa objekte shtetërore për të cilët ligjërisht kishte të drejtën e parablerjes.
“Kur desha të privatizoi një nga këto objekte duke qenë se isha pronar i truallit , konkretisht “Reparti i tharjes” ajo ishte në emër të Engjëll Çiftes, ai nuk e di si e kishte marrë , sepse Ministria e Financave thotë që nuk e ka privatizuar” thotë z.Bakalli.
Ai tregon se Çiftja është avokat dhe të gjitha herët që ka vajtur çështja në prokurori është mbyllur. Ai kërkon ndihmën e Fiksit, “Unë kam më shumë besim te Fiksi se tek çdo institucion shtetëror” thotë Bakalli.
Fiksi solli dokumentet që mbante në dorë qytetari në bazë të të cilave ishte pronar i truallit z.Bakalli por jo vetëm aq, edhe pse nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme e kishte regjistruar këtë pronë në emër të z.Çiftja, Zyra Qendrore urdhëroi të çregjistrohet, por as kjo nuk u bë.
Në dosjen që ka qytetari Ministria e Financave thotë se nga regjistrat e saj nuk del që kjo pronë është privatizuar nga z. Engjëll Çiftja.
Kështu i bie që kjo pronë të jetë sot shtet, por jo , në kadastër është në emër të tij, dhe sipas këtij institucioni është bërë regjistrimi në bazë të një kontrate që është bërë mes Agjencisë së Privatizimit dhe z.Çiftja në zyrën e noteres Majlinda Lato.
E pyetur nga gazetarët noterja nuk dha një përgjigje nëse kjo pasuri ishte e përfshirë në kontratën që u nënshkrua në zyrën e saj , por qytetares i pranoi se ata e kanë shtuar vetë këtë pronë me dorë në fund dhe kështu e kanë regjistruar në kadastër.
Gazetarët pyetën edhe personin që sot e ka lënë me qira këtë pronë, z.Demir Çiftja, njëkohësisht avokat në Elbasan. Ai tha se këtë pronë e ka blerë, dhe se Ministria e Financave e ka gabim me ato përgjigje që kthen.