Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, është prej dy ditësh i shtruar në spitalin e burgut, si pasojë e gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore.
Beleri ka shfaqur probleme me zemrën, e për këtë është dërguar në spitalin e burgut, ku prej dy ditësh po merr ndihmën e parë mjekësore.
Në spital që prej arrestimit është shtruar edhe Pandeli Kokaveshi.
Si Beleri ashtu dhe anëtari i shtabi të tij elektoral kanë apeluar vendimin e GJKKO-së që iu dha atyre masën e arrestit me burg.
Fredi Beleri u arrestua nën akuzën e shitblerjes së votave, 3 ditë përpara zgjedhjeve të 14 Majit.
Ai akuzohet se ka blerë 9 vota, kundrejt shumës së 40 mijë lekëve të rinj.
Megjithë problemet me drejtësinë, Beleri arriti që të fitonte me një rezultat të ngushtë zgjedhjet e 14 Majit në Himarë, përballë kandidatit të socialistëve, Jorgo Goro.