Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave është diskutuar raporti i Autoritetit të Konkurencës prezantuar nga Denar Biba. Pas përfundimit të prezantimit, deputetja e PD Jorida Tabaku ngriti një numër çështjesh në lidhje me konkurencën në treg dhe punën e Autoritetit të Konkurencës.

A mund të na shpjegojë, u shpreh Tabaku, kryetari i Autoritetit të Konkurencës nëse kemi një treg të lirë dhe të konkurueshëm në fushën e karburanteve, telefonisë celulare dhe ushqimeve?

Tabaku ngriti shqetësimin se ndryshe nga sa pretendon qeveria se fiskalizimi ka përfshirë edhe sektorin e hidrokarbureve, ku tha se e vërteta sipas Gjykatës Kushtetuese është se ky sektor nuk është i fiskalizuar. Sakaq ajo tha se bizneset ulen në tryezë me shtetin e vendosin çmime për karburantet në dëm të qytetarëve.

“Kam kërkuar te Ministria e Financave dhe Ekonomisë një raport për marzhin e fitimit të kompanive të karburanteve dhe nuk më ka ardhur ndërkohë që ministrja Ibrahimaj është shprehur se fiskalizimi si proces është i implementuar plotësisht te sektori hidrokarbureve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë, i kërkon MFE që të implementojë fiskalizimin. Tani si mund ta kuptojmë ne këtë?”, theksoi Tabaku.

Më tej Tabaku theksoi se Autoriteti i Konkurencës nuk ka mbrojtur interesin publik në lidhje me dy projekte që janë debatuar në publik. Debati mbi Portin e Durrësit që sipas letrave dhe shkëmbimeve publike me Komisionerin e Zgjerimit të BE, Varheleyi, kanë qenë në shkelje të konkurencës nuk morën asnjë reagim nga Autoriteti i Konkurencës. Së dyti, aeroporti i Vlorës që gjithashtu është shënjuar në Progres Raportin e BE si një kontratë në shkelje të konkurencës.

Si ka mundësi, u shpreh Tabaku, që juve nuk jeni shprehur në lidhje me dy projektet si Porti i Durrësit dhe Aeroporti i Vlorës ku edhe Bashkimi Europian është shprehur se është shkelur konkurenca dhe MSA?

Ndërsa në fokus në fund të fjalës së saj, Tabaku u shpreh e shqetësuar për mungesën e reagimit të Autoritetit të Konkurencës në lidhje me Tenderat pa Garë dhe konkurrimet fiktive në garat e hapura në fushën e prokurimeve publike.