Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e falënderimeve pas fitores së thellë më 14 maj duke u ndalur kësaj radhe në Korçë.

Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se PS ka dalë forcë e parë në këto zgjedhje, kjo nuk do të thotë se shqiptarët janë të kënaqur me ne, por kanë pritshme nga puna jonë.

Në një takim me banorët Rama tha se ka një falënderim për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë votuar, pasi ata braktisën hijet e së shkuarës, referuar këtu Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Ai theksoi se pikë prioritare e programit të çdo kryebashkiaku të ri duhet të jetë njerzillëku me qytetarët.

“Njerëzit janë të pakënaqur me ne, kjo është e vërteta. Kanë pritshmëri të larta ndaj nesh dhe besojnë se vetëm ne mund ti bëjmë ato gjërat për të cilat kanë nevoje, kjo është e jashtëzakonshme si sfidë se na kanë hedhur një dorashkë, duke thënë urdhëro merreni dhe tani na çoni vetën përpara, do ishte fatale për ne nëse do biem në vetëkënaqësi dhe do mendojmë se jemi të zëvendësueshëm. S’ka lidhje kjo votë me të gjitha këto. Kjo votë ka lidhje se njerëzit duan të mendojnë dhe duan nga ne që të mendojmë gjithmonë  e më shumë për ata si qytetarë dhe jo ata të mendojnë si tifozë partish dhe ne ti ndajmë në të tanët, majtas, djathtas.

Dua të falënderoj ata që s’kanë dal në votim, ua kemi kërkuar këtë gjë. Duke bërë ata që kanë bërë ata meritojnë respekt sepse janë sjellë si patriotë duke braktisur hijet e së shkuarës që u shfaqën vetëm për të na kthyer mbrapa. Në kushtet e kësaj pritshmërie të madhe, çfarë behët. Si kthehet ky borxh.

Ka një gjë që mund të përmbushet 100%, është vetëm në dorën tonë këtu. Kjo është njerzillëku me të gjithë anëtarët e një komuniteti, me çdo qytetar të këtij vendi, me çdo familje që ka nevojë për këtë shtet, njerzillëku me çdo sipërmarrje, çdo grup interesi, që është dhe duhet të jetë për mua pika e parë  e programit qeverisës të çdo kryetari bashkie të dalë nga vota e 14 majit. Në këtë pikë kemi deficite kudo, në nivelin qendror, vendor. Këtu ua kërkoj me forcë të gjithëve. Që ta kuptojnë dh eta vënë në jetë. Të krijojnë mekanizma që të gjithë njerëzit të ndihen të dëgjuar, të respektuar. Pastaj zgjidhet apo jo një hall apo problem tjetër kjo varet nga mundësitë. Pavarësisht nëse nuk ma zgjidh hallin, të paktën ma qaj thotë populli ynë”, tha Rama.