Një lajm i mirë vjen për ata që duan t’i drejtohen bregdetit në fundjavë. Sinoptikania Lajda Porja bën me dije se zonat bregdetare do të jenë me kthjellime, do të ketë vranësira, por nuk do të ketë reshje shiu.
“Bregdeti të shtunë dhe të diel do të jetë me kthjellime, me vranësira, por pa reshje.
Edhe sot pas orës 14:00 do të kemi herë pas here momente ku do të ketë zhvillim të vranësirave ku do të ketë reshje. Reshjet do të jenë në sasi të pakta dhe nuk përjashtohen rrebeshe në zonat malore. Sa i përket të shtunës dhe të dielës ka një përmirësim të lehtë, duke qenë se vranësirat do t’i kemi të pranishme në të gjithë territorin. Edhe pse paraditet me diell, mesdita dhe pasditja do të ketë vranësira”, u shpreh sinoptikania.
Fundjava do të karakterizohet nga temperatura deri në 28-29 gradë. Sipas sinoptikanes, java tjetër do të sjellë rritje të temperaturave.