Raste të reja të helmimit janë raportuar këtë të diel, një ditë pasi 30 persona iu drejtuan urgjencës në Bulqizë, pasi rezultuan të helmuar nga uji i ndotur.
Ende nuk ka të dhëna për rastet e raportuara sot, ndërsa ditën e djeshme banorët e njësisë administrative Gjoricë janë paraqitur në qendrën shëndetësore me simptoma helmimi dhe pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, janë larguar në banesat e tyre.
Në lidhje me incidentin, Policia ka ngritur menjëherë grupin hetimor dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, e nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia sqaron se është vënë në lëvizje vetëm tani pasi nuk ishte njoftuar nga banorët apo personeli i qendrës shëndetësore për ngjarjen.
“Sqarojmë se as gjatë ditës së djeshme dhe as ditën e sotme, në Komisariatin e Policisë Bulqizë nuk ka ardhur asnjë njoftim, nga banorët apo personeli i qendrës shëndetësore”- thuhet në njoftimin e policisë.
Pritet që shkakun e vërtetë të helmimit ta zbulojnë analizat, të cilat do të konfirmojnë që helmimet janë nga uji apo nga ndonjë virus.