Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka reaguar për herë të parë në lidhje me arrestimin e 2 zyrtarëve të dikasterit në ajo drejton, të cilat ranë në pranë pasi abuzuan për një tender për rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore.

Reagimin Manastirliu e bëri në Kuvend, ku dënoi ngjarjen, por theksoi se përgjigjësia është personale.

“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë jo vetëm për këtë ngjarje, nga e cila si institucion distancohemi plotësisht. Është qëndrimi që kemi pasur, kemi dhe do të kemi për çdo rast në shkelje të ligjit. Në çdo rast të shpërdorimit të saj.

Cilido që shkel këto parime, duhet të përballet me pasojat që parashikon ligji. Ky ka qenë qëndrimi dhe bindja ime që nga dita e parë që kam marrë përsipër të shërbeje në funksione publike. Është ngjarje e trishtë dhe e rëndë.

Organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre, rasti duhet të hetohet deri në fund. Nëse del siç janë dyshimet, të përballet me pasojat e ligjit. Çdo person që merr detyrën, merr automatikisht përgjegjësinë para ligjit. Përgjegjësia është individuale. Kjo është arsyeja se pse e iniciuam dhe e bëmë reformën në drejtësi.

Kemi zgjedhur një rrugë që s’ka kthim pas dhe që para ligjit të përgjigjemi njësoj. E di që djathtas e keni të vështirë që ta kuptoni se kush shkelte ligjin atëherë, e merrnit në mbrojtje. Kur prokuroria vepronte, i hidheshit në fyt, i shpallnit luftë dhe i vinit epitete të turpshme drejtuesve. Ju nuk e kuptoni dot qëndrimin tim. Të gjithë të barabartë para ligjit. Ky është qëndrimi im. Ju doni ta vërtisni këtë çështje politikisht.”, tha ajo.