Ministrja Delina Ibrahimaj ka sqaruar vendimin për shtyrjen për shtesat e pagave. Ndër të tjera Ibrahimaj ka prezantuar sot masat e ndërmarra për t’u ardhur në ndihmë eksportuesve të cilët kanë pësuar humbje të mëdha nga zhvlerësimi i monedhës së euros përballë lekut.
“Shtesat do të jepen gjatë këtij muaji si për muajin prill dhe për muajin maj. Nuk kemi shkaktuar asnjë krizë financiare, sapo të ketë një ndryshim në ligjin e buxhetit padyshim do të marrim masa”, ka thënë Ibrahimaj.
Gjithashtu ajo theksoi se nuk ka pasur asnjë kalkulim gabim në koeficient.
“Qeveria kishte punuar paraprakisht me qëllim hartimin e draft vkm që do të shoqëronin ligjin. Ne s’mund të fillonim procesin e miratimit të VKM përpara se ligji të miratohej pasi miratimi final është në kompetencat e Parlamentit. Nuk mendoj që ka vonesa të ekzagjeruar, brenda këtij muaji do ti paguajmë shtesat mbi pagë dhe do të fillojnë që nga muaji prill. Sa i përket sektorit të arsimit, shëndetësisë, sigurisë, VKM e reja me zbatimin e reformës së pagave u miratuan në kohë. Nuk ka pasur asnjë kalkulim gabim në koeficient”, ka thënë ajo.
Gjithashtu Ibrahimaj u ndal edhe tek rënia e euros për të cilën tha: “Gjatë muajit të kaluar kemi pasur disa takime me shoqatën e eksportuesve ku janë diskutuar ndërhyrjet potenciale që mund të zbatohen për t’u ardhur në ndihmë. Ajo që ka ndodhur është që ato biznese që punojnë me kontrata porositëse, tani gjenden në situatën ku shpenzimet i kanë në lekë dhe të ardhurat në euro. Një nga masat që do merret është shtyrja e afatit të kësteve të tatimit mbi fitimin deri në mars të vitit të ardhshëm kur bizneset mbyllin bilancet. Subjektet që janë eksportues dhe eksportojnë mbi 70% të nuk do parapaguajnë këstet e tatim fitimit deri në mars kur do të bëjnë bilancin. Kjo vjen si mbështetje për mungesën e likuiditetit që bizneset kanë në treg pas formimit të lekut. Masat e tjera, rimbursimi i TVSH, detyrim ligjor që për kategorinë e eksportuesve të jepet një afati 3 ditor”, tha Ibrahimaj.