Pas takimit privat që zhvilloi me Lulzim Bashën, deputeti I Partisë Demokratike Saimir Korreshi ka dhënë një deklaratë për media, ku është pyetur nga gazetarët për tensionet që shkaktuan mbështetësit e Bashës në mbledhjen e Kryesisë së PD mbrëmjen e së martës.

Korreshi ka thënë para gazetarëve se skenat që janë bërë nga militantët e Bashës janë të patolerueshme dhe bën përgjegjës për këtë ngjarje Lulzim Bashën.

I pyetur nga gazetarët nëse Basha duhet të kandidojë në zgjedhjet e 29 korrikut për kryetar të PD, ai thekson se as Basha dhe as Berisha nuk duhen të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Për ato skenat unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them. Janë skena të patolerueshme. Këtë diskutuam atje për të treguar se kush është përgjegjës dhe ata ishin mbështetës të zotit Basha. Unë i qëndroj gjykimit tim, Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk duhen të kandidojnë për PD, sepse duhet të bashkojmë të gjithë shqiptarët, opozitarët edhe ata që nuk janë demokratë. Tani unë vazhdoj ti qëndroj gjykimit tim, pavarësisht takimit që mund të kem me të gjithë”, tha Korreshi.