Lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha ka dënuar sulmin terrorist në Vjenë që la të paktën 3 viktima dhe 15 të plagosur mbrëmjen e kaluar.
Basha thotë se sulmi ishte frikacak, teksa shpreh solidaritetin me popullin dhe autoritetet austriake. Ai shton se mendimet dhe lutjet e tij janë për familjet e viktimave.
“Unë dënoj me forcë sulmin terrorist frikacak kundër jetëve të pafajshme në Vjenë. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave. Shqipëria qëndron fort në solidaritet me popullin dhe autoritetet austriake“, shkruan Basha.
SULMI
Policia e Vjenës njofton se fillimisht të shtënat u raportuan pranë një sinagoge (institucioni fetar ku predikojnë hebrenjtë) në orën 20:00. Fillimisht një prej autorëve hodhi veten në erë ndërsa një tjetër u ekzekutua nga policia.
Vetëm pak orë pas sulmit në vend, forcat speciale të Vjenës kanë bërë të mundur arrestimin e 4 autorëve të tjerë të dyshuar.
Të gjithë ata ishin të pajisur me armë të ndryshme si kallashnikovë dhe pistoleta. Një prej autorëve të sulmit, ka ekzekutuar një qytetar në mes të rrugës ku fillimisht e qëlloi me kallashnikov. Ai nuk ka ndërruar jetë menjëherë ndaj është ngritur në këmbë, por autori u kthye sërish dhe e ekzekutoi atë me pistoletë.
Autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre pasi nuk dihet ende nëse ka persona në arrati teksa vijon kontrollin në të gjithë zonën.





