Megjithëse në situatë pandemie, ku kurba e infektimeve njeh vetëm rritje, partitë politike vazhdojnë me aktivitetet e programuara në axhendë. Më i fundit ishte ai i mbajtur të dielën në Durrës, ku kryetarja e LSI u takua me të rinj e të reja, pjesë e kësaj force politike.

Në ditën e parë të nëntorit, Kryemadhi zbuloi edhe emrin e drejtuesit politik në rang qarku, post të cilin kishte zgjedhur t’ia besonte një femre.

Anëtarja e kryesisë së LSI-së, Elona Guri do të jetë drejtuesja politike e qarkut të Durrësit për zgjedhjet e prillit 2021.

“Jam krenare për rininë e mrekullueshme durrsake. Së bashku do ta bëjmë Shqipërinë dhe Durrësin shtëpinë e çdo shqiptari, e çdo të riu që të ardhmen e tij do ta jetojë në këtë vend, në këtë qytet mijëra vjeçar”, shkruante ndër të tjera Guri në rrjete sociale.

Pas PS-së, që e ka zyrtarizuar prej më shumë se një muaji emrin e Adrian Çelës si koordinator qarku, LSI bëhet partia e dytë që prezanton emrin që do të qëndrojë pas këtij posti të rëndësishëm.

Pikëpyetje mbeten ende për emrin që do të përzgjedhë PD, pasi deri më tani ka vetëm emra që përfliten dhe asgjë të zyrtarizuar. Sipas disa burimeve, emrat që kanë më shumë shanse t’u besohet drejtimi politik i qarkut janë ish-deputeti Oerd Bylykbashi dhe sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Gjithsesi, deri në zyrtarizimin e emrit hamendjet mbeten hamendje.

Vlen të theksohet se si Bylykbashi ashtu edhe Bardhi gëzojnë mbështetjen e Bashës, njëri si personi që përfaqësoi PD-në në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore dhe si kandidat për deputet i kualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve dhe tjetri si krahu i djathtë i Bashës dhe njeriu që bëri denoncimet e forta për disa nga kryebashkiakët socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019.  

Brenda muajit tetor, pritej që Partia Demokratike të emëronte drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët do kenë peshën kryesore të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit. Burime nga selia qendrore patën theksuar se drejtuesit se do jenë figura me peshë jo vetëm në PD, por edhe në zonat ku ata do kryesojnë listat.

Por tetori u mbyll pa emra konkretë. Pritet që brenda kësaj jave apo gjysmës së parë të nëntorit, Basha dhe të tijët të zyrtarizojnë emrat e drejtuesve politikë.

M.B.