Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar me temë, “Gjendja e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas informacioneve në këtë mbledhje u bë një analizë e gjendjes së sigurisë kibernetike dhe masat e marra nga institucionet për forcimin e mbrojtjes kibernetike në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Nga raportimet e institucioneve dhe diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar konstatohet se përgjatë një viti është bërë progres në forcimin e kapaciteteve dhe mbrojtjes kibernetike në vend.

Republika Islamike e Iranit e ka zgjeruar veprimtarinë e saj kërcënuese dhe sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar dhe më komplekse.

Institucionet AKSHI dhe AKCESK dhe institucionet e tjera do vijojnë bashkëpunim me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n, si dhe vende të tjera partnere dhe aleate për forcimin e mbrojtjes kibernetike.

“Do vijojmë me përmirësimet e duhura ligjore, investimet në teknologji, arsimimin, trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të gjithë përdoruesve të cilët kanë akses në sisteme teknologjike për krijimin e kultura së sigurisë kibernetike.

Sfidat që po kalojmë sot janë me spektër të gjerë. Në këtë takim të sotëm, u diskutua edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare, të cilat janë kryesisht të lidhur me kërcënimet që vijnë nga Irani, qofshin këto në formën e propagandës apo formave hibride.

Institucionet ligjzbatuese dhe ato përgjegjëse në fushën e sigurisë kombëtare do vlerësojnë dhe informojnë në mënyrë të vijueshme partnerët dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë lidhur me kërcënimet që vijnë nga Irani dhe vendosmërinë e Shqipërisë se nuk do të lejojë aktivitetin e asnjë individi apo grupi në dëm të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Institucionet të bëjnë vlerësimin e kërcënimit dhe rrezikut dhe do të marrin masa për forcimin e kapaciteteve të mbrotjes kibernetike, mbrojtjes ajrore, forcimit të strukturave të inteligjencës për grantimin e sigurisë kombëtare:-thuhet më tej në njoftim.