Stina e verës duket se është spostuar paksa nga fillimi i saj i zakonshëm në muajin qershor. Megjithatë, do të jetë e mundur që gjatë korrikut të nisim pushimet, edhe pse do të ketë herë pas here reshje shiu, parashikon meteorologia Lajda Porja.
Ajo shpjegon në “Shije Shtëpie” se tashmë ka nisur fenomeni El Nino i cili karakterizon stuhitë tropikale, temperatura të larta në rang global. Nga kjo pritet që vitet në vijim të arrijnë temperatura ekstreme.
Lajda Porja: Fundi i Qershorit, pra ditët e fundit të Qershorit sjellin një përmirësim të lehtë të motit sa i përket reshjeve, ka një ndërprerje të reshjeve por mbeten temperatura jo shumë të larta, rreth vlerës 30-31. Do të jetë Korriku i cili do të shënojë pikun e temperaturave të larta. Nëse flasim për stuhi tropikale do t’i kemi prezente gjatë kësaj vere, pra edhe në Korrik edhe në Gusht, do të kemi herë pas here këto mini-stuhitë e breshërit, erë të fortë dhe rrebeshe të cilat zgjasin rreth 60 minuta dhe pastaj të kemi sërish diell.
Nuk do jenë çdo ditë sikundër i kemi patur në Qershor, por do të jenë të shpërndara në mënyrë sporadike. Duke qenë se tashmë kemi startuar fenomenin e El Nino-s do na duhet që të presim që në vitet pasardhëse, 2024, 2025 dhe me radhë të jenë vite shumë të nxehta sepse sapo ka startuar ky pasi kemi qenë nën efektin e fenomenit La Nina, tani do futemi rreth fenomenit El Nino i cili sjell temperatura të larta dhe sidomos viti pasues, pra duke filluar që nga fundi i 2023, fillimi i 2024 ne do kemi temperatura më të larta mesatare vjetore, por jo vetëm Shqipëria, është në rang global.