Seanca gjyqësore për anëtarët e grupit Avdylaj është shtyrë sërish pasi avokati i tyre ka dalë pozitiv me Covid-19.

Mësohet se avokati nuk është paraqitur në seancën e sotme dhe ka lajmëruar se është prekur nga Covid-19, ndaj seanca tjetër është vendosur të mbahet më datë 16 nëntor, pasi avokati të qëndrojë 14 ditë në karantinë.

Anëtarët e grupit Avdylaj akuzohen për shit-blerje votash bashkë me 15 persona të tjerë, dhe akuzohen se kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 2017-s. Seanca është shtyrë dhe herë të tjera, për shkak të mungesës së avokatëve por dhe për shkak të mungesës së prokurorëve të çështjes.

Kujtojmë se të arrestuarit akuzohen për disa vepra penale, si “Trafikim i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim etj.