Erblira Bici do të jetë pjesë e Romës edhe për sezonin 2022-2023, këtë herë në elitën e volejbollit italian, në Serinë A1. Lajmin e ka zyrtarizuar vetë klubi italian, që njofton marrëveshjen me kapitenen e kombëtares shqiptare edhe për sezonin e ardhshëm.
Një konfirmim që pritej, pas paraqitjes fantastike që Bici zhvilloi me Romën në edicionin e mbyllur disa javë më parë. Ky është konfirmimi i katërt zyrtar për Romën. Erblira Bici, sulmuese, 185 cm, 27 vjeç, lindur në Gramsh, do të veshë përsëri fanellën e Roma Volley Club. Era ishte pikëshënuesja më e mirë e Romës në sezonin e kaluar, si dhe MVP e finales së Kupës së Italisë, duke e mbyllur edicionin 2022-2023 me paraqitje të shkëlqyera në sulm, bllokim dhe goditje.
Bici në palmaresin e saj të jashtëzakonshëm koleksionon 4 kampionate dhe 5 kupa të Shqipërisë, 1 Kupë e Italisë A1, 1 Champions League, si dhe 1 titull dhe 1 kupë të Italisë në A2 me Romën. Era është gjithashtu një pikë kyçe e kombëtares shqiptare, që prej vitit 2014.
“Jam shumë e lumtur që mund të vazhdoj me Roma Volley Club një projekt që filloi sezonin e kaluar me rezultate të shkëlqyera. Jam krenare që vazhdoj pas objektivave të arritura nga një grup i shkëlqyer. Përveç bukurisë që ka vetë Roma si qytet, jam shumë e lumtur që mund të kthehem në një vend ku kam gjetur njerëz të mirë, seriozë dhe të vlefshëm. Gjej rastin të falënderoj klubin dhe të gjithë stafin që besuan tek unë, jo vetëm sezonin e kaluar, por edhe në këtë të ri në ligë. Jam e vetëdijshme për sfidat e pjesëmarrjes në një ligë të nivelit të lartë kundër kundërshtarëve cilësorë, por jam e bindur se Roma e meriton të jetë në këtë kategori. Tani duhet të punojmë shumë, të gjithë së bashku, lojtarët, stafi, klubi, sponsorët, institucionet dhe tifozët, për ta mbajtur atë”, është shprehur Erblira Bici pas rinovimit me Romën.
Për Bicin do të jetë një rikthim në Serinë A1, këtë herë si protagoniste absolute.