Transmetuesi britanik BBC thotë se ka marrë prova që hedhin dyshime mbi rrëfimin e rojes bregdetare greke për mbytjen e anijes së emigrantëve të së mërkurës, në të cilën dyshohet se kanë vdekur qindra.

Analiza e lëvizjes së anijeve të tjera në zonë sugjeron se anija e mbipopulluar e peshkimit nuk po lëvizte për të paktën shtatë orë para se të përmbysej.

Rojet bregdetare pretendojnë ende se gjatë këtyre orëve skafi ishte në një kurs për në Itali dhe nuk kishte nevojë për shpëtim. Autoritetet greke nuk i janë përgjigjur ende gjetjeve të BBC.

Të paktën 78 persona dihet se kanë vdekur, por OKB thotë se deri në 500 janë ende të zhdukur.

OKB ka bërë thirrje për një hetim mbi trajtimin e katastrofës nga Greqia, mes pretendimeve që duhet të ishin ndërmarrë më shumë veprime më herët për të nisur një përpjekje shpëtimi në shkallë të plotë.

anija e emigranteve
Foto e varkës së peshkimit para se të mbytej, u publikua nga roja bregdetare të enjten

Zyrtarët grekë thonë se personat në bord thanë se nuk donin ndihmë dhe nuk ishin në rrezik deri pak para se anija e tyre të fundosej. BBC ka marrë një animacion kompjuterik të të dhënave gjurmuese të ofruara nga MarineTraffic , një platformë analitike detare.

Të dhënat e tyre tregojnë orë të tëra aktiviteti të përqendruara në një zonë të vogël, specifike ku anija e emigrantëve u mbyt më vonë, duke hedhur dyshime mbi pretendimin zyrtar se nuk kishte probleme me lundrimin e saj.

Varka e peshkimit nuk kishte gjurmues, kështu që nuk tregohet në hartë. As rojet bregdetare dhe anijet ushtarake nuk duhet të ndajnë vendndodhjen e tyre, gjithashtu.