Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Itali, ku humbi jetën 29-vjeçari shqiptar Agron Dajlanaj.
I riu ishte duke udhëtuar me motor në urën Lama teksa po kthehej nga kompania ku ai punonte që prej moshës 18 vjeç. Ai përfundoi disa metra larg, duke gjetur vdekjen në vendin e ngjarjes.
Shqiptari ishte i martuar dhe kishte një vajzë të vogël. Bashkëshortja dhe nëna e tij mësohet se shkuan në vendin e ngjarjes, pasi u njoftuan për aksidentin tragjik, ku u përballën me skenën e tmerrshme. Ato u dërguan në spital për shkak të tronditjes.
Kjo tragjedi tronditi po ashtu të gjithë komunitetin shqiptar por edhe shumë njerëz nga Prato, që e njihnin atë si një të ri serioz kushtuar punës dhe familjes.
“Është një humbje e madhe. Ai e dinte atë rrugë shumë mirë dhe ne nuk mund ta kuptojmë se çfarë mund të ketë ndodhur. Si shoqatë ne menjëherë u lidhëm me familjen dhe mbi të gjitha me gruan që është 27 vjeç dhe me fëmijën. Unë isha në shtëpinë e prindërve të tij, ai ishte një fëmijë i vetëm, si komunitet do të jetë detyra jonë të ndihmojmë familjen në një moment kaq delikat”, shpjegon Presidenti i Shoqatës Shqiptare Sopoti, Qamil Zejnati.





