Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat, ku po flet për situatën në Veri të Kosovës dhe mbajtjen në paraburgim nga ana e Serbisë të tre policëve kosovarë.
“Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është pajustifikueshme dhe e papranueshme. Ndërsa përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejtë të 3 policëve të huaj për arrestimet në veri të individëve të caktuar të minirotetit serb nga forcat policore të Kosovës është tejet shqetësuese sepse shtete demokratike nuk i përgjigjen kurrë në mënyrë simetrike shkeljeve të pretenduara.
Nëse Serbia ka pretendime për arrestime arbitrare në veri, këto pretendime nuk argumentohen duke mbajtur peng 3 policë shqiqtarë në Serbi por duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar, EULEX-i, KFOR-in dhe mbi të gjitha duke vepruar konkretisht aty ku është edhe origjina e kësaj problematike që është marrëdhënia e cila duhet normalizuar, që është marrëveshja që duhet finalizuar.
Unë sot e përsëris apelin për lirimin e menjëhershëm pa kushte, pa nëse, të tre efektivëve të Policisë së Kosovës jo vetëm sepse kjo është shkelje e të drejtave të njeriut por sepse pa u kthyer në shtëpi ata 3 burra nuk ka asnjë hapësirë për të lëvizur me planin e de-eskalimit”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.