Naftëtaret e Ballshit vijojnë në ditën e 17 të grevës së urisë. Ato janë të vendosura për të mos u tërhequr, pavarësisht thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për ta mbyllur grevën dhe për t’u ulur në bisedime, ndonëse gjendja e tyre shëndetësore është rënduar.

Grevistet theksojnë se heshtja e kryeministrit Rama është vrastare, ndërsa kanë edhe një thirrje për gratë socialiste në parlament.

“Grevën e bëjmë për të sensibilizuar të gjitha gratë dhe nuk tërhiqemi. Kryeministri Rama në 2017 e kam pritur vetë e tha lekët do i merrni. Ne ato lekë nuk i kemi marrë dhe sot, dhe ndaj presim zgjidhje. Jemi bërë mjeke të vetvetes. Jemi të vendosura, shyqyr po jetojmë dhe një ditë. Mirë kryeministri Rama që nuk vjen, po pse nuk vijnë ato gra që janë në parlament. Të na shohin si jemi. Çfarë bëjmë. Jemi si mos më keq. Mos të rrish pranë fëmijë. Ato nëna që janë në parlament pse nuk merr njëra rrugën e të vijë, se kryeministri nuk ulet. Kryeministri Rama është vetë Maliqi ka dhe ligjin, ta shqyrtoj ligjin, t’i marrim paratë. Djersën tonë kërkojmë. Të zbatohet ligji”, theksojnë naftëtaret.