Diplomati i njohur Agim Nesho ka folur sot në News24 për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në botë, që nga lirimi i tre policëve të Kosovës deri te rebelimi i Wagner në Rusi.

Nesho tha se rrëmbimi i tre policëve ishte një proces i montuar që të shfrytëzohej nga regjimi nacionalist i Serbisë për të arritur lëshimet që kërkuan nga Perëndimi.

“Lirimi i tyre pa kushte është fitore e diplomacisë qeverisë dhe presidentes.
Vuçiç ndihet tashmë i mundur si ortaku dhe partneri i tij Putin me ngjarjet e fundit në Rusi.
Këtu kemi një situatë në të cilën vetë kryeministri shqiptar nuk di çfarë të kërkojë, as në Bruksel. Është nxjerrë jashtë loje dhe nga Vuçiç.
Gjithë retorika që Vuçiç e thotë për Ramën, udhëheqës global etj, ishte për krijuar një distancë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Është një moment tepër i rëndësishëm. Sigurisht ka pasur dhe efektin nga vendosmëria që komuniteti ndërkombëtar i bëri lidershipit të Kosovës, ndaj është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës”, tha Nesho.

Sa i përket sugjerimit të kryeministrit Edi Rama për mbylljen e Kurtit dhe Vuçiçit në një takim, diplomati Nesho tha se “pozicioni i Shqipërisë ndoshta është më i drejtë ashtu si presidenti Meta tha, që kjo situatë të zgjidhet me dialog mes palëve me ndërmjetësimin e aleatëve, por jo me ato që sugjeron Rama, projekte alla Dejton”.

Ai tha se Rusia u shpartallua me atë çfarë ndodhi në Rusi dhe e pafuqishme për ta përkrahur Vuçiçin. “Kjo bëri që t’i lirojë pa kushte duke pranuar një humbje të madhe në politikën e tij, një politikë tensioni, të ndarjes së influencave në Ballkan. Rama kërkon ta mbrojë Vuçiçin dhe në mënyrë të pambrojtur, por Vuçiç e konsideron si argat”, tha më tej Nesho.