Mesfushori i Evertonit, Dele Alli thotë se ai ishte abuzuar seksualisht kur ishte gjashtë vjeç.
Në një intervistë emocionale me ish-futbollistin e Anglisë, Gary Neville, Alli zbuloi abuzimin që pësoi si fëmijë përpara se të birësohej në moshën 12-vjeçare.
Ai tha se ishte përdhunuar në moshën gjashtë vjeç nga shoku i mamasë, filloi të pinte duhan në moshën shtatë vjeçare dhe ishte duke shitur drogë në moshën tetë vjeç.
Alli, 27 vjeç, kohët e fundit kaloi gjashtë javë në rehabilitim për shkak të varësisë nga pilula e gjumit dhe problemeve të shëndetit mendor.
Një nga talentet e rinj më të ndritur të futbollit, Alli ishte pjesë e skuadrës së Anglisë që arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2018 dhe ndihmoi Tottenham në finalen e Champions në 2019.
Sidoqoftë, forma e tij ra dhe ai u largua nga Spurs për t’u bashkuar me Everton në shkurt 2022 përpara se të huazohej te skuadra turke Besiktas sezonin e kaluar.
Alli, i cili luajti të fundit nga 37 paraqitjet e tij me Anglinë në 2019, u kthye te Everton në fund të sezonit të kaluar për shkak të lëndimit.
“Kur u ktheva nga Turqia, kuptova se kisha nevojë për një operacion dhe isha në një vend të keq mendërish. Vendosa të shkoj në një qendër rehabilitimi moderne për shëndetin mendor. Ata merren me varësinë, shëndetin mendor dhe traumat. Ndjeva sikur ishte koha për mua. Nuk mund t’ju thuhet të shkoni atje. Duhet ta dini dhe ta merrni vetë vendimin ose nuk do të funksionojë. Unë u kapa në një cikël të keq. Unë po mbështetesha në gjëra që po më bënin dëm. Po zgjohesha çdo ditë dhe po fitoja luftën, po shkoja në stërvitje, duke buzëqeshur, duke treguar se isha i lumtur – por brenda patjetër po e humbja betejën. Ishte koha që unë ta ndryshoja atë”, filloj rrëfimin e tij Alli.
Më pas mesfushori i talentuar zbuloi makthet e fëmijërisë.
“Nëna ime ishte e alkoolizuar. Më dërguan në Afrikë për të qëndruar me babanë e saj për të mësuar disiplinën dhe më pas më kthyen. Në moshën shtatë vjeçare fillova të pi duhan, tetë fillova të merrja drogë. Një person i moshuar më tha se nuk do ta ndalonin një fëmijë me biçikletë, kështu që unë hipa me çantën e futbollit dhe kisha drogën poshtë. Njëmbëdhjetë, më varën poshtë një ure një djalë nga prona tjetër dhe një burrë. Dymbëdhjetë, unë u birësova – u birësova nga një familje e mrekullueshme, nuk mund të kisha kërkuar njerëz më të mirë që të bënin atë që bën për mua. Nëse Zoti i krijoi njerëzit, ishin ata”, tha Alli.
Futbollisti tha se nuk është në kontakt me prindërit e tij biologjikë, duke shtuar se ndihet i “tradhtuar” dhe “i zhgënjyer” pasi ata pretenduan në vitin 2018 se familja e tij e birësuar po përfitonte prej tij.
Në një deklaratë, Everton tha: “Të gjithë në Everton respektojnë dhe duartrokasin guximin e Dele për të folur për vështirësitë me të cilat është përballur, si dhe për faktin që kërkoj ndihmë. Dele nuk do të kryejë asnjë intervistë të mëtejshme në lidhje me rehabilitimin e tij dhe ne kërkojmë që privatësia e tij të respektohet derisa ai të vazhdojë rikuperimin e tij nga lëndimi dhe të marrë kujdesin dhe mbështetjen e plotë të nevojshme për mirëqenien e tij fizike dhe mendore”.





