Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka akuzuar Rusinë për përdorimin e ushqimit si armë, pas pezullimit të marrëveshjes së drithërave.

Duke folur para gazetarëve në Samitin BE-Komuniteti i Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC) në Bruksel, Macron theksoi se vendimi i njëanshëm nga Rusia do të ketë pasoja domethënëse për vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Azisë që mbështeten në marrëveshjen.

“Ata që dyshojnë në sinqeritetin e Putinit dhe përkushtimin e tij ndaj të mirave të përbashkëta, përgjigja është shumë e qartë… ai vendosi të përdorë ushqimin si armë dhe mendoj se ky është një gabim i madh”, tha presidenti francez.

Marrëveshja, e nënshkruar fillimisht në korrik të vitit të kaluar nga Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina, kishte për qëllim fillimin e eksporteve të drithërave nga portet ukrainase, të cilat ishin ndaluar si rezultat i luftës ruso-ukrainase që filloi në shkurt të vitit 2022.

Më 18 maj, marrëveshja u zgjat për 60 ditë të tjera, duke siguruar vazhdimin e eksporteve të drithërave sipas marrëveshjes dhe duke shmangur një krizë ushqimore në botë.

Liderët e BE-së dhe të CELAC-it janë mbledhur për të diskutuar temat e biznesit dhe zhvillimit në Bruksel në kuadër të një samiti dy-ditor BE-CELAC.