Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nënshkroi një ligj që rrit kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë për pesë vjet.
Sipas ligjit të ri, i cili u nënshkrua më 24 korrik, mosha maksimale e ushtarëve dhe rreshterëve rezervistë rritet nga 35 në 40 vjeç. Mosha maksimale e oficerëve të rangut të mesëm në rezervë rritet nga 45 në 50 vjeç dhe e oficerëve të lartë në rezervë nga 50 në 55 vjeç.
Gjatë çdo mobilizimi, mosha maksimale e oficerëve rezervistë rritet me pesë vjet të tjera.
Ky ligj krijon kushtet për punësim shtesë gjatë mobilizimit. Ai gjithashtu mundëson mobilizimin e pjesëmarrësve në kampet e trajnimit të luftës, rekrutimin e personave që tashmë janë mobilizuar, si dhe ruan statusin e rezervistit për rusët që kanë marrë leje qëndrimi ose shtetësi të një vend tjetër.
Ndryshimi i ligjit vjen në kohën kur Ukraina ka filluar një kundër-ofenzifë ndaj Rusisë.
Të hënën, Rusia e ka akuzuar Ukrainën se është mbrapa sulmeve me dronë që i kanë dëmtuar të paktën dy ndërtesa në Moskë, në mëngjesin e së hënës.
Agjencia shtetërore e lajmeve TASS, ka raportuar se një dron ka rënë afër Ministrisë së Mbrojtjes.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se sulmet me dronë i kanë goditur ndërtesat “jo të banueshme” rreth orës 4:00 të mëngjesit.
Ai ka thënë se ndërtesat nuk kanë pësuar ndonjë dëm të madh.
Moska e ka akuzuar edhe në të kaluarën Ukrainën për kryerje të sulmeve me dronë.
Më herët gjatë këtij muaji, Rusia ka thënë se Ukraina ka nisur sulme me dronë në Moskë, duke rezultuar me ndërrim të kahes së fluturimeve që do të duhej të ateronin në Aeroportin ndërkombëtar Vnukovo.
Ukraina nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto sulme.
Më herët, në maj, Kievi e ka mohuar kryerjen e një sulmi me dronë në Kremlin, të cilin Rusia e ka konsideruar si tentim-vrasje ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL