Moti i keq me stuhi dhe reshje breshëri e shiu në veri dhe zjarret në jug, janë duke çuar Italinë drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Vendimi pritet të merret nesër nga autoritetet, ndërsa rajonet kanë nisur të llogaritin dëmet e ndërtesave, infrastrukturës dhe bujqësisë.

Rajonet që po shkojnë drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme janë Lombardia, Siçilia, Veneto, Emilia Romanja dhe Friuli e Venecia.

Ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci, i cili ka pasur kontakte telefonike me qeveritarët e qarqeve në fjalë, do të raportojë nesër në Këshillin e Ministrave për situatën.

Do të verifikohen parametrat e kushteve të fatkeqësisë dhe me propozimin tim do të zgjidhet emergjenca”, tha Musumeci.

Në pritje të një kuantifikimit më të detajuar të dëmeve, në mbledhjen e nesërme mund të miratohet një dekret me rregulla ad hoc për fondin e tepricës së punëtorëve të ndërtimit dhe bujqësisë.

Ndërkohë, moti ekstrem deri më tani ka lënë pas 5 viktima. Një vajzë 16-vjeçare u vra nga një pemë që ra mbi tendën e saj në një kamp skautizmi në Valcamonica, provinca e Breshias. Tre persona mbetën viktima të flakëve në zjarret që ende avancojnë rreth Palermos dhe Siçilisë, dhe një tjetër ndërroi jetë në Rexhio Emilia.

Nuk e kam parë kurrë një gjë të tillë në 65 vjet”, tha kryebashkiaku i Milanos ku u pyet mbi stuhitë në Lombardi që dëmtoi rëndë sistemin e semaforëve, atë hekurudhor dhe kabujt e autobusëve elektrikë.

Sa i përket zjarrit në Vieste, flakët kanë shkrumbuar objekte turistike në breg të detit dhe dy 70-vjeçarë u gjetën të djegur në një shtëpi të përfshirë nga flakët pranë aeroportit Falcone Borsellino.

Ndërkaq, një grua 88-vjeçare që vdiq në San Martino delle Scale sepse zjarri pengoi ambulancën ta shpëtonte atë.

Pothuajse 2000 persona janë evakuuar për shkak të zjarreve të tmerrshme që zgjasin prej më shumë se 24 orësh, duke shkatërruar pyje, zona kodrinore, parqe dhe qendra të banuara në pjesë të ndryshme të ishullit.