Në Siçili situata nga zjarret mbetet kritike. Zjarret kanë detyruar banorët dhe turistët të evakuohen dhe kanë shkaktuar ndërprerje të transportit publik. Zjarri në aeroportin e Katanias ka gjunjëzuar të gjithë rajonin. Dhjetëra biznese dhe mijëra turistë janë evakuuar, ndërsa kaosi ka përfshirë të vendin. Aeroporti funksionon në një mënyrë shumë të kufizuar ndërkohë, shumë fluturime janë anuluar ose devijuar drejt aeroporteve të tjera në Siçili, të cilat po luftojnë për të përballuar rritjen e papritur të pasagjerëve.

Kaosi ka përfshirë edhe aeroportet Comiso dhe Trapani që janë më të vogla se aeroporti i Katania-s që po përballen me rritjen e papritur të fluturimeve dhe pasagjerëve. Ndërkaq në Carruba di Riposto, në veri të qytetit të Katanias, një zjarr i madh po shkatërron një zonë me bimësi të pasur. Turistët në vendpushimet Donna Carmela dhe San Antonio janë evakuuar . Në Siçili termometri  arriti në 46.7 C në Katania, pak më pak se rekordi evropian prej 48.8 që u regjistrua në Sirakuzë në 2021.

Situata mbetet kritike edhe në disa rajone të Greqisë. Zjarri në Rodos vijon për të dhjetën ditë. Në jugperëndim, zjarrfikësit po operojnë në veri nga Laerma dhe në jugperëndim nga Vati. Përveç forcave tokësore, që në dispozicion janë vendosur edhe 3 avionë dhe 3 helikopterë.

Dy trupa të tjerë të karbonizuar u gjetën në zonën e Volos, 320 kilometër në veri të Athinës, pas zjarreve që përfshinë vendin. Viktima është një grua e moshuar, e cila nuk mundi të largohet prej flakëve që përfshinë pronën e saj në të cilën jetonte së bashku me bashkëshortin e saj.

Zjarret q u përhapën në të gjithë Greqinë qendrore kanë shkatërruar edhe ferma dhe fabrika, ndërsa fermerët nxituan për të evakuuar bagëtinë e tyre.

Mbetjet e djegura të një lope mund të shiheshin në një fermë në Sesklo, një fshat pranë qytetit port bregdetar të Volos. Fermeri Kostas Koukouvinos shprehet se toka dhe pemët e pa pastruara ndihmuan që zjarri të arrinte në zonë.

“Siç e shikoni kemi arritur në këtë situatë. Mungesa e autoritetit publik, e qeveritarëve të qarkut, e kryetarëve të bashkive , prandaj situata arriti deri në këtë pikë”.

Vetëm në 24 orët e fundit, 61 zjarre shpërthyen në të gjithë Greqinë. Zyrtarët urdhëruan evakuimin e disa komuniteteve në zonën e goditur rëndë të Magnesia. Nisur nga situata e rëndë e zjarreve që ka përfshirë të gjithë Europën Jugore Bashkimi Evropian do të dyfishojë flotën e zjarrëfiksve me 12 avionë për të luftuar flakët e nxitura nga ndryshimet klimatike. Gjashtë shtete anëtare do të nënshkruajnë kontratat janë Kroacia, Franca, Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja. Ky dyfishim i numrave pritet të kushtojë 23 milionë euro.