Teuta prej ditësh vijon stërvitjen në Bullgari. Skuadra ka punuar sot me një seancë në ditë në fazën e përgatitjeve për sezonin e ri. Mbrojtësi Artan Jazxhi ka folur për ecurinë e fazës përgatitore të skuadrës së tij, duke theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.
Si po shkon faza përgatitore në Bullgari?
Faza përgatitore po shkon shumë mirë. Çdo ditë e shohim më të fortë veten dhe kushtet janë perfekte. Atmosfera në klub është shumë e mirë. Kjo na motivon edhe më shumë për kampionatin. Të gjithë futbollistët premtojmë maksimumin.
Mbyllët një sezon shumë të mirë në aspektin personal?
Unë në sezonin që u mbyll, së bashku me klubin, kemi pasur ngritje të formës. Kjo nuk e shton presionin, përkundrazi, e shton motivin dhe obligimin ndaj punës, e cila është garantuesi i vetëm i suksesit. Gjithsesi, duhet thënë se pjesë të veçantë në ngritjen time ka përkrahja e vazhdueshme nga të gjithë në klub, të cilët më japin një forcë të madhe.
Sot do të zhvilloni dhe një miqësore të tretë në Bullgari?
Kjo miqësore është ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve, kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.
Mendoni se ky sezon i ri do të jetë edhe më i vështirë?
Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Të bëhemi skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate. Kush është ai që nuk do të dalë sa më mirë, qoftë unë dhe të gjithë në klub.
Me çfarë synimi nis ky kampionat?
Duam ta vazhdojmë aty ku e lamë vitin e kaluar. Parashikoj një kampionat të bukur dhe të ekuilibruar, pasi disa rivalë janë përforcuar, ndërsa të tjerë dëshirojnë të konfirmohen. Të gjithë mezi presim të fillojë.
Cilët janë objektivat e Teutës sivjet?
Të gjithë dëshirojmë të bëjmë më mirë sesa viti i kaluar. Vjet zhvilluam një kampionat që nuk e priste askush tjetër përveç nesh. Kemi besim në mundësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë gjëra më të mira se viti i kaluar. Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës që klubi të arrijë synimet e tij.