Problemet me drejtësinë për ish-presidentin amerikan, Donald Trump, sa vijnë e thellohen. Kandidati kryesor i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të 2024, akuzohet se i ka bërë presion një punonjësi të fshijë pamjet e xhiruara nga kamerat e sigurisë në banesën e tij ne Mar-a-Lago, mes hetimeve për përvetësimin e dokumenteve të klasifikuar.
Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ka paraqitur 3 akuza të reja kundër 77-vjeçari, duke e çuar në 40 totalin e tyre. Ekipi i fushatës së Trump reagoi se akuzat e reja ishin pjesë e gjuetisë së paligjshme të shtrigave kundër ish-presidentit.
“Kjo nuk është asgjë tjetër përveçse një përpjekje e dëshpëruar nga familja kriminale e Biden dhe departamentit të tij të drejtësisë për të shantazhuar Trump dhe njerëzit që e rrethojnë. I marri Jack Smith e di se nuk kanë asnjë çështje dhe se kjo është një mënyrë për të shpëtuar gjuetinë e paligjshme të shtrigave për të penguar kandidimin e Donald Trump”.
Punonjësi i mirëmbajtjes në resortin Mar-a-Lago të Trump, Carlos De Oliveira, u akuzua për komplot për të penguar drejtësinë, duke ndihmuar zotin Trump të fshinte dokumentet. De Oliveira, 56 vjeç, i tha një punonjësi tjetër në Mar A Lago, ku jeton Trump se “shefi” donte që videot e sigurisë të fshiheshin pasi Departamenti i Drejtësisë e thirri atë për hetim.
Do Oliveria u akuzua gjithashtu se ka gënjyer FBI-në gjatë një interviste, duke pretenduar se nuk ishte i përfshirë në lëvizjen e kutive të dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago. Donald Trumpi është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza kriminale dhe tashmë është paditur dy herë këtë vit, një herë në Nju-Jork mbi pagesat për një yll pornografie dhe një herë tjetër mbi dokumentet e klasifikuara. Akuzat nuk e kanë dëmtuar pozitën e Trump si kandidati kryesor në garën republikane për të sfiduar Presidentin Biden në zgjedhjet e vitit 2024.