Donald Trump po përballet me akuza të reja për posedimin e paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara, pasi prokurorët pretendojnë se ai i kërkoi një punonjësi të fshinte xhirimet e kamerave në rezidencën në Florida.
Ata raportojnë se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është përpjekur të pengojë hetimet për akuzat.
Aktakuza e përditësuar nga prokurori i posaçëm, Jack Smith, përqendrohet në pamjet e kamerave në pronën e Trump në Mar-a-Lago në Florida, që kanë qenë prej kohësh dëshmi kryesore për rastin.
Ai dyshohet se ka kërkuar fshirjen e xhirimeve pasi hetuesit e FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë hynë për kontroll në rezidencë në qershor të vitit 2022 për të mbledhur dokumente të klasifikuara që ai i mori me vete pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Ndër të tjera shtohet se Trump ka mbajtur në mënyrë të paligjshme një dokument që pretendohet se ua ka treguar vizitorëve në Nju Xhersi.
Një zëdhënës i ish-liderit amerikan i ka hedhur poshtë akuzat e reja, ndërsa i konsideron përpjekje presidentit aktual, Joe Biden, për të ndikuar në garën presidenciale të vitit 2024-ës.
Pretendohet se në pamjet e filmuara punonjësi i Trump, Walt Nauta, lëviz dokumente në një depo, përfshirë edhe një ditë para kontrollit të FBI-së, e më pas ka zhvendosur kutitë.
Gjyqi për Trump dhe punonjësin e tij është caktuar për më 20 maj të vitit 2024, ndërsa ende nuk dihet nëse do të shtyhet sërish.