Vendet afrikane po i bëjnë thirrje Moskës t’i rikthehet marrëveshjes për drithin në një takim të nivelit të lartë që Rusia po mban me udhëheqësit e këtyre vendeve. 30 milionë tonë drithë ukrainas u eksportuan në Afrikë para tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja, sipas ministrisë britanike të Mbrojtjes. Pezullimi i nismës ka rritur çmimet e ushqimeve duke shkaktuar tensione në gjithë botën. Ndërkohë në takim, Rusia po përpiqet ta paraqesë veten si një partnere e kontinentit afrikan.

Takimi i nivelit të lartë në Shën Petersburg, mbahet në hijen e luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve të Rusisë për të zbutur izolimin e saj. Në takim marrin pjesë 17 krerë shtetesh, 18 më pak se sa në takimin e fundit të këtij lloji, katër vjet më parë në Soçi. Moska akuzon Uashingtonin se u ka bërë presion udhëheqësve afrikanë që të mos marrin pjesë. Ndërkohë Presidenti Putin premtoi të enjten ndihmë të konsiderueshme të drejtpërdrejtë për kontinentin.

“Jam gati të fal nga 25 deri në 50 mijë tonë drithë për Burkina Fason, Zimbabven, Malin, Somalinë, Republikën e Afrikës Qendrore, (dhe) Eritrean në muajt e ardhshëm, në tre deri në katër muajt e ardhshëm.”

Takimi mbahet ndërsa rriten tensionet botërore për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve pas tërheqjes së Moskës nga marrëveshja për transportin e drithit që kishte nënshkruar me Ukrainën dhe Turqinë.