Presidenti i Ukrainës, Volodymr Zelensky, ka paralajmëruar se lufta po vjen në Rusi pas një sulmi me dron në kryeqytetin Moskë.

Zelensky tha se sulmet në territorin rus ishin një “proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë” i luftës midis dy vendeve.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se tre drone ukrainas u rrëzuan të dielën, ndërsa dy u përplasën në zyra. Aeroporti Vnukovo, në jugperëndim të qendrës së qytetit, u mbyll gjithashtu për pak kohë.

Sulmi me dron në orët e para të së dielës është i fundit për të cilin Moska ka fajësuar Kievin. Ukraina rrallë merr përgjegjësinë për sulmet brenda Rusisë. Por në një fjalim video të dielën nga qyteti perëndimor i Ukrainës, Ivano-Frankivsk, Zelensky tha se Ukraina po forcohej.

“Sot është dita e 522-të e të ashtuquajturit “Operacion Special Ushtarak”, për të cilin udhëheqja ruse mendoi se do të zgjaste disa javë”, tha ai.

Gradualisht, lufta po kthehet në territorin e Rusisë – në qendrat e saj simbolike dhe bazat ushtarake, dhe ky është një proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë.

Zyrtarët thanë se nuk kishte të lënduar dhe kryetari i bashkisë së qytetit Sergei Sobyanin tha se fasadat e dy ndërtesave të zyrave ishin dëmtuar lehtë.

Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë se në cep të godinave janë dëmtuar disa xhama, me mbeturina të shpërndara në tokë poshtë.

Një dëshmitare okulare i tha agjencisë së lajmeve Reuters se mund të shihte zjarr dhe tym.

“Ne dëgjuam një shpërthim dhe ishte si një valë, të gjithë u hodhën”, tha ajo. “Pastaj kishte shumë tym dhe nuk shihje asgjë. Nga lart mund të shihje zjarr.”

Moska, e vendosur rreth 500 km nga kufiri ukrainas, është shënjestruar rrallë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Por Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka nisur një seri sulmesh me dronë në territorin e saj në muajt e fundit, duke përfshirë disa në kryeqytet.

Më e dukshme ishte në maj, kur Rusia pretendoi se Ukraina përdori dy drone për të sulmuar Kremlinin – zemrën e qytetit. Ukraina mohoi të kishte sulmuar Kremlinin ose të kishte shënjestruar presidentin Vladimir Putin.

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se Ukraina kreu gjithashtu një sulm me dron gjatë natës në Krime – territor i cili u aneksua nga Rusia në vitin 2014. Zyrtarët thonë se 16 dronë u shkatërruan dhe nëntë të tjerë u shtypën, raporton agjencia e lajmeve Tass.

Ndërkohë, zyrtarët ukrainas thonë se një sulm me raketa ruse në qytetin e Sumy, në verilindje të vendit, ka lënë një person të vdekur dhe pesë të plagosur.

Një ndërtesë u shkatërrua nga një shpërthim rreth orës 20:00 me orën lokale , sipas transmetuesit publik Suspilne.

Zyrtarët thonë gjithashtu se dy persona u vranë në qytetin jugor të Zaporizhzhia të shtunën.