Kukulla Barbie që “po bën namin” po shitjet pas publikimit të filmit pak javë më parë ka tashmë një konkurrente të fortë.

Në treg, Barbie ka përballë rivalen e saj, vajzën e keqe Bratz, që këtë herë është imazhi i miliarderes Kylie Jenner.

Kompania ka njoftuar për bashkëpunimin me Jenner, duke nxjerrë në treg koleksionin e limituar “Mini Bratz x Kylie Jenner”. Është hera e parë që një personazh i famshëm zgjedh të shndërrohet në kukullun që u bë e njohur në vitet 2000 me stilin e saj, tiparet e ekzagjeruara dhe tonet e lëkurës.

Sipas të dhënave, në pesë vitet e para të daljes në treg, kompania fitoi me këtë kukull 2 miliardë dollarë.

Koleksioni i ri ofron një Jenner “Bratzified”, me gjashtë dalje të famshme të Kyliet, përfshirë këtu paraqitjen e saj unike në “Met Gala 2019”, me fustanin sirenë ngjyrë lejla të “Versace” apo fustanin e bardhë me vello.

“Kam qenë një fanse e Bratz që nga fëmijëria dhe gjithmonë kam dashur kukullën time Bratz”, tha miliarderja në një deklaratë për shtyp, duke shtuar se i ka pëlqyer çdo hap në procesin e krijimit të këtyre kukullave përgjatë një viti. Koleksionin e plotë, Kylie ia dhuroi dhe vajzës së saj 5-vjeçare Stormit.

Drejtoresha krijuese e Bratz, Jasmin Larian tha se Jenner “mishëron gjithçka që Bratz ka përfaqësuar që nga krijimi 22 vjet më parë, përfshirë të qenit rebele, energjike dhe ekspresive”.

Fansat e pëlqyen këtë krijim, por nuk munguan kritikat. Disa prej tyre vunë në dukje se “lëkura e Kyliet nuk është kaq e errët”.