Në kulmin e aventurës evropiane, Partizani ngre dhe më shumë temperaturat për tifozët teksa zyrtarizoi axhenden e miqësores së luksit me Romën.
Më 12 gusht, në “Air Albania”, në orën 20:00, “demat” presin ekipin e Jose Mourinho-s, një miqësore që po josh gjithnjë e më shumë tifozët teksa një javë përpara këtij takimi janë shitur mbi 4 mijë bileta, një interesim shumë i lartë, e të mendosh që biletat dolën në shitje vetëm ditën e premte.
Kjo miqësore është projektuar si një festë për kryeqytetin pasi në “Air Albania” do të zhvillohet edhe një koncert përpara startit, ku i ftuar special do të jetë edhe këngëtari Noizy, lajm që edhe këtë herë u bë publikisht fillimisht nga kryeministri Rama.
Ky është një test special, jo vetëm për Partizanin, por dhe për kryeqytetin, pasi rikthimi i Romës, i Jose Mourinho-s, ngjall interes shumë të madh në publik, mbi të gjitha tek tifozët.
Me nota pozitive është përcjell edhe në Itali, mbi të gjitha në Romë, ky test miqësor në Tiranë, pasi verdhekuqtë rikthehen në impiantit ku më 25 maj 2022 fituan trofeun e Conference League.





