Një grua ka rënë në prangat e policisë ukrainase, pasi akuzohet se po planifikonte që të vriste Zelenskyn.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) bën me dije se arrestuan një informatore ruse, e cila po përgatiste një sulm ajror në rajonin e Mykolaiv gjatë vizitës së Presidentit të Ukrainës.

Mësohet se e dyshuara po mblidhte informacione rreth vizitës së planifikuar, tha SBU. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhej për vizitë në rajon në fund të korrikut.

Megjithatë, agjentët e SBU kishin marrë informacion në lidhje me aktivitetet e të dyshuarës dhe kishin marrë masa shtesë sigurie.

Në monitorimin e komunikimeve të gruas, SBU kishte konstatuar se ajo kishte për detyrë të identifikonte vendndodhjen e sistemeve të luftës elektronike dhe magazinat me municione të forcave të armatosura.

Sipas hetimeve, gruaja ishte një banore në Ochakov, në jug të Ukrainës, dhe një ish-shitëse në një dyqan ushtarak në territorin e një prej reparteve ushtarake të rajonit. Ajo dyshohet se udhëtoi në Mykolaiv dhe filmoi vendndodhjet e objekteve ukrainase. Emri i gruas nuk është bërë i ditur.