Një operacion i Interpolit kundër bandave me bazë në Afrikën Perëndimore, të specializuara në mashtrimet në internet, ka çuar në sekuestrimin e dy milionë eurove dhe arrestimin e rreth 100 të dyshuarve në disa vende, tha sot policia ndërkombëtare.

Operacioni “Çakalli” kishte në shënjestër krimin e organizuar në Afrikën Perëndimore, si grupin “Black Pelekis”.

Falë këtij mobilizimi janë identifikuar më shumë se 1100 të dyshuar, janë arrestuar 103 persona, janë konfiskuar 2.15 milionë euro dhe janë ngrirë mbi 200 llogari bankare.

Këto organizata kriminale, banda të dhunshme të stilit mafioz, janë bërë famëkeqe për mashtrimet e tyre në internet, i mashtrojnë viktimat e tyre me letra biznesi ose dashurie, i bindin se kanë trashëguar shuma të mëdha parash dhe arrijnë të zhvatin të dhënat e tyre personale, me të cilat vazhdojnë tërheqjen e shumave të mëdha të parave dhe pastrojnë paratë e pista.

Në Portugali, katër hetimet e kryera çuan në konfiskimin e 1.4 milionë eurove. Në Irlandë u kryen 34 arrestime.

Në total, 21 vende morën pjesë në operacion: Argjentina, Australia, Belgjika, Brazili, Kanadaja, Bregu i Fildishtë, Franca, Gjermania, Indonezia, Irlanda, Italia, Malajzia, Holanda, Nigeria, Portugalia, Afrika e Jugut, Spanja, Zvicra, Arabia e Bashkuar Emiratet, Britania dhe SHBA.

Operacioni “Çakalli” u zhvillua në datat 15-29 maj. Një operacion i ngjashëm vitin e kaluar çoi në 75 arrestime dhe sekuestrim të 1.2 milionë eurove.

“Mesazhi që po u dërgojmë rrjeteve kriminale të Afrikës Perëndimore është i fortë: kudo që ata fshihen në hapësirën kibernetike, Interpoli do t’i ndjekë pa pushim. Aktivitetet e paligjshme të organizatave si “Black Pelekis” do të jenë gjithmonë një prioritet për Interpolin”, tha Isaac Kehide Ogini, drejtor i Divizionit për Krimet Financiare dhe Kundër Korrupsionit (IFCACC).