Teuta vijon përgatitjet për sfidën e javës së parë me Partizanin. Në mungesë të takimit të afërt, stafi i Teutës kishte vendosur për të ngarkuar ekipin fizikisht. Nga ana tjetër, blutë dje kanë pasur disa mungesa.Dihet tashmë që me skuadrën nuk është Erando Karabeci, i cili po vazhdon riaftësimin. Jashtë grupit ishte dhe Blerim Kotobelli. Kapiteni është lënë pushim nga drejtuesit e skuadrës për të bërë vetëm ushtrime dhe fizioterapi. Lojtari ka pasur probleme në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, por pritet të jetë gati për sfidën e parë të kampionatit.
Teuta ka zhvilluar seancën e dytë stërvitore për ditën e mërkurë. Stërvitja e dytë e ditës më shumë ka pasur si fokus lojën me top, ndërsa trajneri Longo është fokusuar edhe te taktika. Skuadra bregdetare po vazhdon fazën përgatitore në qytetin e Durrës pas kthimit nga Bullgaria. Trajneri Diego Longo edhe ditën e djeshme kishte planifikuar 2 seanca stërvitore.Në prolog të stërvitjes, trajneri Longo u foli futbollistëve për programin stërvitor. Ai insistoi se Teuta ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim mund të arrijë gjëra të mëdha në këtë fushatë. Ekipi u stërvit normalisht dhe i gjithë grupi është në gjendje optimale.
Teuta dhe Erzeni do të përballen të dielën në orën 18:00 në stadiumin “Niko Dovana” në një ndeshje miqësore, që do t’u vlejë ekipeve në prag të kampionatit.Skuadra e Diego Longos pritet ta luajë edhe të shtunën e ardhshëm një miqësore të fundit, por në “Niko Dovana”, ndërsa më pas do të hyjë në javën e kampionatit, ku më 26 gusht do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Partizanit. Ky takim është programuar për t’u luajtur në “Arenën e Demave”. Trajneri Longo ka në dispozicion nja grup të plotë futbollistësh për ndeshjen e së dielës me Erzenin.





