Policia e Shtetit ka dalë këtë të mërkurë me informacion zyrtar, lidhur me operacionin ndërkombëtar anti-drogë ku morën pjesë Guardia Di Finanza, DEA amerikane dhe policia shqiptare.

Në një deklaratë për mediat, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga ka deklaruar se droga e kapur në vendin ku trafikantët dogjën velierën kishte destinacion ndërkombëtar.

Sipas zv.drejtorit të policisë Sokol Bizhga, operacioni nisi në orën 22:00 të mbrëmjes së 14 gushtit dhe u përmbyll pasditen e djeshme në orën 18:00.

Mësohet se 6 persona, shqiptarë e të huaj, janë vënë në pranga dhe janë sekuestruar: 28 kg kanabis, 2 armë, 200 fishekë luftarakë, një “Audi”, 45 mijë euro, 250 mijë lekë, 2 mijë lira turke, 500 paund dhe 25 celularë.