Prej muajsh banorët e fshatit Kërçisht i Epërm në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër, kundërshtojnë projektin e ujësjellësit të bashkisë për Maqellarën.
Ndërkohë tri ditë më parë banorët theksojnë se policia i ka larguar forcërisht, duke tentuar të shuajë protestën.
Banorët akuzojnë uniformat blu se janë dhunuar, ndërsa tregojnë se kanë përfunduar edhe në spital.
Një prej tyre është edhe 65-vjeçarja Meliha Meta, e cila tregon se teksa po kundërshtonte policinë është rrëzuar dhe turma e ka shkelur me këmbë.
Si pasojë e lëndimeve ajo ka marrë trajtim mjekësor në spitalin e Dibrës, pasi ka dëmtuar këmbën e majtë. Një tjetër banore që deklaron dhunën e ushtruar ndaj saj nga uniformat blu është edhe Miranda Koçi. Kjo e fundit thotë se ndërhyrja e policisë ishte e dhunshme, ndonëse ata po mbrojnë një të drejtë të tyren. Gjithashtu bëhet me dije se disa persona u shoqëruan në komisariat dhe u mbajtën disa orë.
Banorët e Kërçishtit të Epërm insistojnë që të mos preken burimet ujore të fshatit të tyre, pasi ato nuk mjaftojnë për nevojat e fshatit e jo më të dërgohen në fshatrat e tjerë. Sipas banorëve, pushteti vendor nuk ka bërë asnjë konsultim publik për projektin, duke hedhur hije dyshimi për të./BW