Një pilot linjash ndërkombëtare ka humbur ndjenjat dhe nuk është rizgjuar më në tualetin e një avioni Boeing 787, i cili po fluturonte nga Miami drejt Kilit.

Ivan Andaur, 56 vjeç, drejtonte fluturimin e natës nga aeroporti i Miami drejt Santiago në Kili, kur papritur u ndje keq.

Piloti i dytë u detyrua të bënte një ulje emergjence në aeroportin Tocumen në kryeqytetin e Panamasë.

Grupet mjekësore u ngjitën në avion për të dhënë ndihmën por Andaur u shpall i vdekur pas uljes së avionit, në dukje nga një atak kardiak.

Një infermiere e njohur si ‘Isadora’ në rrjetet sociale, tha se ishte përpjekur të risillte në vete  Andaur bashkë me një koleg dhe dy doktorë, pas simptomave që ngjanin me një atak kardiak.

Ajo shtonte se mjekët bënë gjithçka ishte e mundur për ta ndihmuar por nuk kishin “mjete të nevojshme apo të mjaftueshme” për të bërë punën e tyre.

Isadora tha: “Për fat të keq nuk kishim mjete të mjaftueshme për të kryer një procedurë të suksesshme. Ka nevojë për përmirësim protokolli në raste të tilla emergjencash shëndetësore apo mjekësore me shtimin e burimeve”.

Nuk është ende e qartë se cilave mjete i referohej infermierja.

Një pasagjere e paidentifikuar e avionit tha: “Pas rreth 40 minuta fluturimi piloti na pyeti nëse kishte ndonjë mjek në bord, nuk e dinim çfarë kishte ndodhur”.

Ndërsa një stjuardesë kishte pyetur pasagjerët nëse dikush kishte ‘mjete të përdorura nga njerëzit me varësi insuline’.

Gruaja tha: “Na thanë se do të uleshim sepse piloti nuk ndjehej mirë dhe kur arritëm, na thanë të zbraznim avionin pasi situata ishte përkeqësuar”.

Pasagjerët më pas ishin regjistruar në hotelet vendase dhe fluturimi rinisi të pasnesërmen.

Andaur kishte fluturuar me forcat ajrore të Kilit para se të bashkohej me kompaninë LATAM.

Një zëdhënës i LATAM njoftonte në një deklaratë për ngjarjen e 14 gushtit 2023, fluturimi LA505 (Miami – Santiago).

“Vlerësojmë karrierën 25-vjecare dhe kontributin e pilotit të ndjerë, kërkojmë ndjesë për trazirat e shkaktuara për udhëtarët nga kjo situatë e dhimbshme dhe e paparashikuar”.