Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se bota e krimit i ka shtrirë kthetrat kudo. Në një tryezë me temë, “pushteti i krimit”, Berisha komentoi skandali me të dhënat në sistemin TIMS, që sipas tij personi që i ka vjedhur është dërguar nga Rama.

“Këta janë shndërruar në avoketër të tmerrshëm të krimit, shesin dosje dhe informacione. Ka sjellë europoli 850 mijë faqe transkripte. Ju garantoj se me shpejtësi të rrufeshme do përjetojmë tregun më të fuqishëm të transkriptove. Bota e krimit ka shtrirë kthetrat në cdo gjë.

Një javë më parë nxorën të gjithë të dhënat e TIMS. Cfarë kishte të dhëna sekrete për krimin, po kush e nxori? I dërguari direkt i Edi Ramës, Ervin Muca. Një kriminel që urdhëroi punonjësit e policisë, i hidhni të dhënat në këtë usb dhe ata refuzuan, disa prej tyre. Bravo u qoftë. Po cfarë ndodhi? Ai mori punonjës privat dhe ata i morën privat.

Edi Rama do të fshehë gjurmët e krimit.

Po në krye të SHISH kush është? Një njeri i shkarkuar nga qeveria e Kosovës sepse ka plackitur të dhënat e Kosovës. Pasi shkarkohet për këto të dhëna bëhet këshilltare e Ramës dhe tani ajo emërohet në krye të SHISH. Kjo ka kredenciale krimi”, tha Berisha.