Kryevepra e George Orwell “Ferma e Kafshëve”, vjen këtë të shtunë me regji nga Driada Dervishit në skenën e Amfiteatrit të Durrësit.
Shfaqja do të filloj në orën 21:00, ndërsa hyrja do të jetë e lirë.
Në skenë do të interpretojnë aktorët e njohur si: Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Dori Çaushi, Xhuliano Brisku, Urim Aliaj dhe me pjesëmarrjen e veçantë të artistit Bojken Lako.
Pak përshkrim për shfaqjen: Një Revolucion ndodh në Fermën Menër. Kafshët ngrihen kundër njeriut pronar dhe marrin kontrollin e fermës. Por dikush duhet ta zërë vendin e drejtuesit të fermës, e të gjithë bien dakord se duhet ta marrin kafshët më të zgjuara të fermës : Derrat. Napoleoni është derri që bëhet udhëheqësi kryesor i fermës, fillimisht me tone entuziaste vëllazërie e barazie, ai i bind se është e afërt rruga drejt të ardhmes së lirë, ku do të punojnë të gjithë vetëm për vete, larg babëzisë së njeriut. Nuk kalon shumë dhe parimet e premtuara kthehen në vargonj që i lidhin kafshët edhe një herë…