“Djalë durrsak unë jam” e kishte titulluar recitalin e tij të dytë këngëtari i muzikës popullore dhe të lehtë Ylli Çifti.
Pavarësisht viteve të shumta që ka mbi shpinë, këngëtari Çifti performoi për rreth një orë në sheshin “Liria” duke ofruar për të pranishmit një koncert ku muzika dhe këngët e njohura të Shqipërisë së Mesme ishin kryefjalë.
Recitalin e tij të parë, këngëtari Çifti e ka realizuar rreth 28 vite më parë dhe siç thotë dhe vetë me shaka, asgjë nuk ka ndryshuar, përveçse ka më pak flokë.
Këtë recital, ai ia dedikoi të gjithë bashkëqytetarëve të tij që prej vitesh jetojnë e punojnë në vendet e Bashkimit Evropian.
“E realizova në këtë periudhë recitalin tim të dytë, për të gjithë ata bashkëatdhetarë që janë kthyer me pushime dhe mund të dëgjonin muzikën e bukur shqiptare”,- thotë ai për “DurrësLajm”.
Në këtë recital që vjen pas rreth 60 vitesh në skenë, këngëtari Çifti shoqërohej nga shumë kolegë këngëtarë dhe muzikantë si Raimonda Kamberi, Dhimitër Stefa, Bujar Çiçi, grupi i valleve të Aldo Dance Studio etj.
“Dëshira për një recital tjetër ekziston, por të shohim nëse shëndeti do të ma lejojë në të ardhmen”,– thotë këngëtari i njohur i muzikës popullore.